Marubi, arkivi që po e ndryshon historinë e fotografisë në Shqipëri

Një pacient që mban në dorë këmbën e tij të prerë; koka të ngjitura në trupa të ndryshëm; figura të rëndësishme historike të eleminuara nga fotografët teknikë gjatë sundimit diktatorial … Me vendndodhje në Shkodër, Shqipëri, muzeu Marubi përmban një koleksion fotografik prej më shumë se pesëqindmijë negativësh që shtrihet nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë e deri në fundin e shekullit njëzet. Me emrin e trashëguar nga studioja e fotografisë Marubi e themeluar në vitin 1858, muzeu paraqet pikëpamje të ndryshme të përdorimeve – artistike, sociale, kulturore dhe politike– të mediumit fotografik gjatë një shekulli e gjysmë në Shqipëri.

Versionin në gjuhën angleze mund ta gjeni këtu.

Historia e fotografisë në Shqipëri fillon me italianin Pietro Marubbi (1834–1903) i cili u vendos në qytetin e Shkodrës gjatë gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë ku hapi dhe studion e parë të fotografisë në 1858. Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është muzeu i parë i fotografisë në Shqipëri i cili u hap në maj 2016 nga koleksioni i ish Fototekës Kombëtare “Marubi”. 

Duke mos pasur fëmijë, ndihmësit e parë të Pietro Marubbit dhe vijuesit besnikë në fushën e fotografisë ishin Mati dhe Kel Kodheli, djemtë e kopshtarit të tij, Rrok Kodheli. Pietro e dërgoi Matin, më të madhin nga dy vëllezërit, për të studiuar fotografinë në studion Sebastianutti & Benque në Trieste, Itali. Me vdekjen e parakohshme të Mati Kodhelit (1881) në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare, Pietro adoptoi Kelin të cilin po ashtu e dërgoi për të studiuar në Itali e në vazhdimësi trashëgoi edhe mbiemrin Marubi. Pas vdekjes së Pietros në 1903, Keli trashëgoi studion e babait të tij adoptues dhe vazhdoi punën. Nga ana tjetër, puna e tij u pasua nga i biri i tij Gegë Marubi i cili studioi për fotografi dhe kinematografi në studion e vëllezërve Lumière në Francë. Ajo çka vihet re në tre brezat e fotografëve është dëshira për të qenë modern dhe në këtë të jetë në hap me trendet bashkëkohore estetike dhe teknologjitë e reja.

Me ardhjen e komunizmit në vitet e 1940-ta, kur çdo aktivitet i ndërmarrjeve private u ndalua me ligj e në pamundësinë për të ushtruar e promovuar punën e tij ose atë të paraardhësve të tij, Gegë Marubi u detyrua t’i dorëzoj shtetit arkivin e famijes. Në këtë mënyrë, në pamundësinë për të drejtuar biznesin privat, ai mund të vazhdonte mbikëqyrjen e arkivit Marubi. Studio të tjera fotografësh që ishin hapur në Shkodër përgjatë të njëjtës dekadë përfshirë Dritëshkroja e Kolës (1886), Fotografija Pici (1924), Foto Jakova (1932), Foto Rraboshta (1943)– po ashtu u detyruan të hiqnin dorë nga fotografitë e tyre. Nga fondi i tyre u themelua Fototeka “Marubi” si sektori i Muzeut Historik të Shkodrës, e cila do të qëndronte aty deri në vitin 2003 kur kaloi si institucion më vete. 

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ruan dhe promovon vlerat e një koleksioni fotografik prej më shumë se pesëqindmijë negativësh që shtrihet nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë e deri në fundin e shekullit njëzet. Arkivi i familjes Marubi, së bashku me arkivat e shumë fotografëve të tjerë në pronësi të muzeut, dokumentojnë momente të rëndësishme të jetës sociale, kulturore dhe politike të shqiptarëve përgjatë një shekulli e gjysmë.

Fig.1 Pietro Marubbi. ​Giacinto Simini.​ 1860. Marubi National Museum of Photography
Fig.2 Pietro Marubbi. ​Untitled​. Marubi National Museum of Photography
Fig.2.1 Claude Monet. Caricature of Mario Uchard
Fig.3 Pietro Marubi. ​Untitled​. Marubi National Museum of Photography
Fig.4 Pietro Marubbi. ​Untitled.​ 1874. Marubi National Museum of Photography
Fig.5 Pietro Marubbi.​ Kel Marubi with his sister.​ Marubi National Museum of Photography
Fig.6 Pietro Marubbi​. Jak Bjanku​. Marubi National Museum of Photography

Shpikja e fotografisë përmes procesit të heliografisë hapi mundësinë për zhvillimin e mëtejshëm të këtij mediumi, duke përfshirë këtu edhe manipulimin e imazheve.1Beaumont Newhall, The History of Photography: From 1839 to the Present, rev. ed. (New York: The Museum of Modern Art, 2012), 15–16. Ndërhyrja direkte në shtyp, retushimi me bojë, gërvishtja e imazhit, ndriçimi artificial në dhomën e errët apo manipulimi i negativëve kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mënyrën se si e kemi interpretuar një imazh. Historikisht fotografitë janë manipuluar për të mashtruar, për t’ja mbushur mendjen shikuesve, për të sajuar të vërtetën e historisë apo krijuar “idhuj” të rremë. 

Në vitin 2013 kur u bë riinventarizimi i plotë fizik i arkivës Marubi u zbuluan disa negativë të panjohur më parë. Kjo ndodhi pas afro dyzet vitesh kohë prej kur vetë i fundit i Dinastisë Marubi, Gega, kreu regjistrimin e të gjithë arkivit. Këto fotografi të reja na dëshmojnë një histori të hershme të manipulimit të imazheve në Shqipëri, duke filluar nga fundi i viteve 1800. Një ndër këto fotografi të hershme të shkrepura nga Pietro Marubbi është edhe foto-kolazhi i “Giacinto Simini” e vitit 1860 (Fig. 1), në të cilën e shikojmë atë tek pozon në tre role të ndryshme– atë të një klienti i veshur me kostumin tradicional katolik të Shkodrës e i mbështetur pranë një ndërtesë në miniaturë që duket sikur është spital. Më pas në rolin e pacientit që mban në dorë këmbën e tij të prerë; e në fund i veshur si kirurg me një këmishë të bardhë e me një sopatë në dorë. Teksa e shikojmë këtë fotografi të plotë e tentojmë të ndërtojmë një histori mbi këtë fotografi duhet të dijmë se Giacinto Simini ishte djali i doktorit italian Gennaro Simini, një leçez emigrant në Shqipërinë Osmane, që sikur shumë italianë të tjerë ishte larguar nga Italia pas përndjekjes politike të borbonëve në periudhën e Risorgimentos. Libri i Giacinto Siminit, i botuar pas vdekjes, “Un patriota leccese nell’Albania Ottomana” (2011) na shpjegon se ky imazh u përdor për reklamën e spitalit të të atit në Shkodër. 

Një tjetër shkrepje e hershme me teknikën e kolodiomit të lëngshëm është edhe vetë portreti i Pietro Marubbit teksa ai monton kokën e tij “të madhe” në një trup më të vogël duke e futur brenda një filxhani kafeje (Fig. 2). Kjo fotografi të kujton karikaturat që piktori impresionist Claude Monet bënte në vitet 1850, andaj harku kohor i shkrepjes mund të jenë vitet 1865-75, kohë që korrespondon dhe me përhapjen në masë të karikaturës në Evropë. Në këtë arkivë gjenden disa fotografi me një “lojë” të tillë, sikur edhe këto dy imazhe, “Visto buono per Napoli” (Fig. 3) dhe “100 franchi prima volta 1874” (Fig. 4) të Pietro Marubbit; portretet e Kel Marubit me të motrën montuar mbi trupat e dy luftëtarëve afrikanë (Fig. 5); dhe fotografia e Jak Bjankut me shok, ku secili prej tyre mban një imazh të kokës së tjetrit (Fig. 6).

Fig.7 Gegë Marubi. ​Gegë Marubi in a double portrait—as himself and as an interlocutor. ​Marubi National Museum of Photography
Fig.7.1 Maurice Guibert. ​Toulouse-Lautrec porträtiert Toulouse-Lautrec​. 1894. Musée Toulouse-Lautrec, Albi, Tarn, France
Fig.8 Kel Marubi. ​Father Anton Kiri​. 1927. Marubi National Museum of Photograph​y
Fig.9 Gegë Marubi. Father Anton Kiri​. 1940. Marubi National Museum of Photography

Duke ndjekur hapat e Pietros, Keli dhe Gega vazhduan të zhvillojnë teknikat e manipulimit fotografik. Njëlloj si imazhi i Henri de Toulouse-Lautrec në të cilin ai pozon si artist dhe model (1892), Gega na shfaqet duke pozuar brenda një fotografie në pozicione të ndryshme, në rolin e një bashkëbiseduesi me vetveten (Fig. 7). Shembuj të tjerë janë që reflektojnë zhvillimin e këtyre teknikave të reja janë imazhet në vitin 1927 (Fig. 8) dhe 1940 (Fig. 9) të Kelit e Gegës. Në të dyja, At’ Anton Kiri paraqitet duke fjetur i mbështetur njëherë mbi karrige e njëherë mbi një trung druri, ndërsa “engjëlli mbrojtës” i bie violinës përkrah tij.

Megjithatë, jo të gjitha fotografitë e manipuluara në arkivin e familjes Marubi janë eksperimentale. Për shembull, disa imazhe u manipuluan përmes retushimit me bojë apo teknikave të tjera për të eleminuar “armiqtë e shtetit”. Kjo ishte një praktikë e zakonshme e shteteve të bllokut komunist lindor që u përhap shpejt në të gjithë vendet, përfshirë edhe në Shqipëri. Me fillimin e shtetizimeve u krijuan Repartet Fotografike (1952) të cilat fillimisht ishin pjesë e Kooperativave e më pas të Ndërmarrjeve të Riparim-Shërbimeve. Punonjës të këtyre Reparteve u bënë vetë fotografët, teknikët e laboratorit por edhe anëtarët e Sigurimit të Shtetit të cilët kishin për qëllim mbikqyrjen e procesit të “riparimit” apo thënë më mirë, manipulimit të imazheve. Fotografët të cilët deri asokohe kishin punuar në studiot e tyre private qenë të detyruar jo vetëm t’i dorëzonin koleksionet fotografike por edhe të punonin për shtetin. Fotografitë e familjes Marubi u konfiskuan gjatë këtij procesi dhe u manipuluan më pas për t’u përdorur si propagandë politike.

Ky rast na tregon për manipulimet që janë bërë duke shfrytëzuar informacionin e kufizuar që lejohej të jepej nga arkiva e familjes Marubi gjatë kohës së diktaturës. Gabimet e bëra nga vetë fotografët në regjistrimet e fotografive dhe kopjimin e të dhënave të fotografive nga regjistrat e vjetër tek të rinjtë u bënë shkaku i keqinformimit dhe devijimeve historike. Botimi i parë me fotografitë e Marubëve, albumi “Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën e Shkodrës” (1982), përfshin një seri fotografish të manipuluara nga të cilat janë fshirë ose prerë imazhet e patriotëve shqiptarë. Për shembull, një fotografi e famshme e Kel Marubit e publikuar tek ky album është ajo e deputetit të Shkodrës Luigj Gurakuqi, sekretari i Qeverisë së Pavarësisë, At’ Gjergj Fishta e Dom Ndre Mjeda e vitit 1923 (Fig. 10). Këto personalitete patën një ndikim të rëndësishëm në jetën politiko-kulturore duke ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve politike që pasuan vitet 1921-1924. Gjatë regjimit komunist ka qarkulluar ky version i retushuar i kësaj fotografie pa figurën e At’ Gjergj Fishtës (Fig. 11), i cili u “fshi” nga historia gjatë diktaturës për shkak të qëndrimeve të tij kristiane, kombëtare e anti-shoviniste, që binin ndesh me ideologjinë komuniste.

Fig.10 Kel Marubi. ​Luigj Gurakuqi, Father Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda​. 1923. Marubi National Museum of Photography
Fig.11 Manipulated photograph of Luigj Gurakuqi and Ndre Mjeda published in the book ​Traces of the National History in the Phototheque of Shkodra​ in 1982
Fig.12 Gegë Marubi. ​The ceremony of reburying Çerçiz Topullit and Mustafa Qullit​. 1936. Marubi National Museum of Photography
Fig.13 Manipulated photograph of Enver Hoxha giving a speech published in the book ​Traces of the National History in the Phototheque of Shkodra in 1982

Albumi gjithashtu përmban një nga fotografitë më spektakolare të periudhës së manipulimit gjatë regjimit komunist. Në këtë fotografi shohim se shumë personalitetet që kishin dalë në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës për të mbajtur fjalime me rastin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të patriotëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli më 1936 janë fshirë (Fig. 12). Në versionin e manipuluar të fotografisë, të shkrepur fillimisht më 12 shtator 1936, i vetmi person në të është diktatori Enver Hoxha tek mbante një fjalim (Fig. 13).2“Nderimi i Shkodrës eshtnave të dy deshmorëve Çerçiz Topullit e Mustafa Qullit,” Revista “Cirka,”no. 9 (Shkodër, September 27, 1936):141. Cila është historia e kësaj fotografie që çoi në fshirjen e këtyre personalitete dhe u fsheh për vite me rradhë? Patriotët për të cilët ishte kryer procesi i çvarrimit ishin njëri nga Gjirokastra (Ç.Topulli) e tjetri nga Leskoviku (M.Qulli). Me këtë rast Prefekti i Shkodrës Javer Rushidi i cili kishte organizuar procesin e çvarrimit, kishte ftuar të mbanin me rradhë fjalimet përshëndetëse autoritetet vendore, si dhe delegacionet nga Gjirokastra dhe Leskoviku për të kryer nderimet. Enver Hoxha i cili asokohe ishte vetëm njëzet e tetë vjeç, i sapo kthyer nga Belgjika ku kishte punuar si nëpunës i konsullatës shqiptare, mbante fjalimin si përfaqësuesi i rinisë gjirokastrite.3Dervishi, Kastriot, “Fotografia në sallën e Bashkisë së Shkodrës në vitin 1936, E. Hoxha heq gjysmën e pjesëmarrësve,” Gazeta 55 (Tiranë 2018). Ka hipoteza të ndryshme se ai në atë kohë ishte pjesë e rinisë Zogiste të kohës. Me ardhjen në pushtet të tij çdo dokument apo dëshmi rreth jetës së tij deri më 1936 u zhduk dhe manipulua. Nesë analizojmë fotografitë në librin për jetën e Enver Hoxhës (1908-1985) botuar nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, vërejmë se po thuajse çdo gjë është e manipuluar, përfshirë këtë imazh që ishte pjesë e arkivës Marubi.

Fotografia e parë shqiptare

Fig.14 Pietro Marubbi. ​Di Donato​. Marubi National Museum of Photography
Fig.14.1 Pietro Marubbi. ​Di Donato​. Marubi National Museum of Photography

Shumë negativë të paprekur të gjetur në arkivë dhe puna kërkimore na çon në një debat shumë të rëndësishëm e të hapur prej kohësh në Shqipëri për çështjen e fotografisë së parë shqiptare e shkrepur nga Pietro Marubbi në 1858, të Hamza Kazazit luftëtar shqiptar dhe udhëheqës i njohur për rolin e tij në Kryengritjen Shqiptare të vitit 1835 (Fig. 14).

Studiuesi Prof. Dr. Zija Shkodra thotë se fotografia e Marubbit e Kazazit nuk është shembulli i parë i fotografisë shqiptare sepse në 1858 Kazazi ishte i internuar në Stamboll. “Që kjo fotografi nuk paraqet Hamz Kazazin e tregon fakti se ky, në vitin 1858, ishte i internuar në Stamboll. Në favor të këtij mendimi është mosha relativisht e re rreth 50 vjeçare, gjë që duket nga fytyra dhe jo e një të moshuari 79 vjeçar, siç ishte Hamz Kazazi, në atë kohë (viti 1859)”.4Zija Shkodra, “Për fotografinë dhe shkrimin e varrit të Hamza Kazazit, atdhetar i shquar etj” (paper, Muzeu Historik i Shkodrës, Seminari i Tretë Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj,” Vëllimi I, Shkodër, 2000), 97–105. E ndërsa studiuesi tjetër Dashnor Kokonozi sjell si argument faktin se “këta fotografë të mëdhenjë shmangin portretet në këmbë, se nuk ka asnjë garanci për shtangësinë e personit para objektivit, ndërkohë që çuditërisht kjo nuk ndodh me Marubbin. Më 1858-n ai fotografon portrete në këmbë.”5Dashnor Kokonozi, “Vërtet kemi një fotografi 151-vjeçare?,” Gazeta Shqip (Tiranë, 2009): 14-15. Megjithëse të dy autorët ishin të saktë në analizat e tyre, ata nuk mundën ta çonin deri në fund sqarimin e plotë të kësaj çështje për arsyen e thjeshtë se nuk patën mundësi hulumtimi në arkivën e Marubit e cila filloj të dixhitalizohet në vitin 2013. 

Por çfarë do mund të ndryshonte ky hulumtim i mëtejshëm? Pas leximit të publikimeve dhe pjesëmarrjes në disa debate mbi këtë çeshtje, kurioziteti u bë gjithnjë e më i madh. Gjatë takimit me z. Willy Kamsin ish Ambasador i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan, ai më tha se personazhi “Hamz Kazazi” në fotografinë e parë të Marubbit është një konsull italian në Shkodër.6Willy Kamsi, në bashkëbisedim me autorin në shkurt, 2012. Përderisa ky informacion më befasoi, po ashtu më shtyu drejt një punë prej “detektivi” për të kërkuar të vërtetën.

Kështu që menjëherë i kërkova punonjësve të arkivit që bazuar në të dhënat e regjistrave të inventarëve (1972-1979) që kishte bërë vetë Gegë Marubi të gjendeshin të gjitha fotografitë e konsujve italianë të Shkodrës. Ditën e dytë pas kërkesës sime, nuk vonoi dhe erdhi përgjigja befasuese. Njëri nga punonjësit e arkivit kishte mbledhur të gjitha fotografitë e konsujve italianë, ndër to edhe atë të personazhit “Hamz Kazazi”.7Hamza Kazazi është i njohur edhe si Hamz Kazazi. “Hamz” është mënyra se si Gega e ka shkruar në regjistër. Pasi bëra verifikimet e regjistrave kuptova që diçka nuk shkonte. Ajo çfarë vërehej ishte se numri dhe përmasa e negativit ishte të njëjta por përshkrimi në regjistrin e vjetër (Fig. 15) nuk korrespondonte me atë në regjistrin e ri (Fig. 16).

Fig.15 Old register “Eminent people and things”. Marubi National Museum of Photography
Fig.15.1 Old register “Eminent people and things”. Marubi National Museum of Photography
Fig.16 Registry of register IV, Marubi donation, p. 270. Marubi National Museum of Photography
Fig.17 Registry of Register I, Marubi donation, p. 218. Marubi National Museum of Photography

Në regjistrin e vjetër të titulluar “Njerz në za e sende të kujdesshme” (Fig. 15.1), shkruhej: “Hamz Kazazi, Nr i Origjinës (negativit), 12X16”, ndërsa në inventarët e Gegës (Fig. 17) shkruhej: “Nr. Rendor: 67007, Nr i Origjinës (negativit) 1951, Përmbajtja e dokumentit fotografik: Di Donato – italian, Autori i dokumentit: Pietro Marubbi, Përmasat e dokumentit: 12X16, Nr. i raftit ku është vendosur negativi: Rafti 9. Por ajo që bie në sy, po të shikojmë me vëmendje regjistrat, është se në regjistrin e vjetër janë shkruar më vonë të dhënat “Hamz Kazazit”. Kjo duket nga përdorimi i stilolapsit, diçka krejtësisht e ndryshme nga shkrimet me bojë shtypi të zezë në brendësi. Duket qartë që këtu ka patur një manipulim por duhet thënë se nuk dihet pse apo kush u bë shkaku i vërtetë që kjo fotografi të manipulohej. 

Hulumtimi i mëtutjeshëm rreth manipulimit të kësaj fotografie konsiston në faktin se personi i fotografuar është konsulli italian Alessandro De Rege di Donato, i cili shërbeu në Shkodër nga 20 shkurti 1881 deri më 18 shkurti 1886, e jo personazhi që kemi njohur deri tani si Hamza Kazazi. Një tjetër fakt shumë domethënës i cili ndihmoi për vërtetimin e këtij manipulimi është edhe fotografia tjetër e konsullit italian di Donato e gjetur në arkivë (Fig. 18). E kështu po të zhmadhojmë fytyrat e “të dy personazheve” në foto duket qartë që është i njëjti person. Këto gjetje konfirmojnë se ajo që ne kemi njohur si fotografia e parë shqiptare në publikimet mbi historinë e fotografisë në Shqipëri, është e pavërtetë– duke rihapur kështu debatin mbi fotografinë e parë shqiptare.

Manipulimet fotografike të kryera gjatë pesëdhjetë viteve të regjimit komunist për çështje politike dhe ideologjike kanë ndikuar dhe ndryshuar historinë e fotografisë dhe të vendit tonë. Procesi i dixhitalizimit të arkivës Marubi po mundëson kërkime të tjera dhe analizën e kësaj praktike dhe efektet e saj. Koleksioni i muzeut jo vetëm që ofron përmbajtje historike por edhe dëshmi të kontekstit socio-kulturor në Shqipëri për më shumë se një shekull. Me vetëm një të pestën e arkivës të dixhitalizuar, puna e Muzeut Marubi mbetet thelbësore për ruajtjen e koleksionit më të rëndësishëm të fotografisë në Shqipëri. Vit pas viti, ky proces ka hedhur dritë mbi imazhe të reja duke ofruar një perspektivë të re për të kuptuar më mirë një histori të manipuluar dhe të shtrembëruar qëllimisht– një histori e çmuar që shumë nuk e njohin dhe të tjerë nuk e patën të mundur ta mësonin.

Fig.18 Pietro Marubbi.​ Di Donato.​ Marubi National Museum of Photography
Fig.18.1 Pietro Marubbi.​ Di Donato.​ Marubi National Museum of Photography

*Ekspozita “Manipulimi” e hapur në gusht, 2017 në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, nxorri në pah për herë të parë fotografitë e manipuluara para dhe gjatë regjimit komunist. Kjo ekspozitë është gjithashtu një dëshmi mbi rëndësinë historike dhe kulturore të një arkivi me materiale origjinale, të pa manipuluara e të ekspozuara më parë.

  • 1
    Beaumont Newhall, The History of Photography: From 1839 to the Present, rev. ed. (New York: The Museum of Modern Art, 2012), 15–16.
  • 2
    “Nderimi i Shkodrës eshtnave të dy deshmorëve Çerçiz Topullit e Mustafa Qullit,” Revista “Cirka,”no. 9 (Shkodër, September 27, 1936):141.
  • 3
    Dervishi, Kastriot, “Fotografia në sallën e Bashkisë së Shkodrës në vitin 1936, E. Hoxha heq gjysmën e pjesëmarrësve,” Gazeta 55 (Tiranë 2018).
  • 4
    Zija Shkodra, “Për fotografinë dhe shkrimin e varrit të Hamza Kazazit, atdhetar i shquar etj” (paper, Muzeu Historik i Shkodrës, Seminari i Tretë Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj,” Vëllimi I, Shkodër, 2000), 97–105.
  • 5
    Dashnor Kokonozi, “Vërtet kemi një fotografi 151-vjeçare?,” Gazeta Shqip (Tiranë, 2009): 14-15.
  • 6
    Willy Kamsi, në bashkëbisedim me autorin në shkurt, 2012.
  • 7
    Hamza Kazazi është i njohur edhe si Hamz Kazazi. “Hamz” është mënyra se si Gega e ka shkruar në regjistër.
Subscribe to our newsletter

Related Content

Fighting the Authoritarian Machine from the Inside: Tamar Abakelia and Natela Iankoshvili

In this text, curator and writer Nina Mdivani revisits the lives and work of Tamar Abakelia (1905–1953) and her student Natela Iankoshvili (1918–2007). She emphasizes how these two Georgian women artists navigated between undertaking state commissions and finding windows of opportunity to oppose the regime and, in the process, creates a genealogy of Georgian artistic…

post presents: Art, Resistance, and New Narratives in Response to the War in Ukraine

On the evening of October 12, 2022, post presents hosted presentations and conversations with artists, scholars, and curators about the artistic responses to the war in Ukraine, looking at the period between the Maidan Revolution, which was followed by Russia’s annexation of Crimea and occupation of Donbas in 2014, and the full-scale Russian invasion launched on February 24, 2022. This conversation is a continuation of the presentations and conversations commenced that evening.